Në kushtet e një situate të vështirë të krijuar nga virusi Covid-19, në Bulqizë minatorët janë në një paradoks të pashoq. Nga njëra anë është kompania që i kërkon minatorët të futen nëntokë në turnet përkatëse, nga ana tjetër është policia e cila i kërcënon me gjobë nëse ata dalin nga shtëpia jashtë fashës së lejuar. Denoncimi vjen nga Sindikata e Minatorëve të Bulqizës. Në denoncimin e tyre të dokumentuar me video, shihen minatorët teksa kërcënohen nga policia se do të gjobiten. Sindikata e Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës iu bën thirrje instancave shtetërore për të ndërhyrë, pasi po rrezikohet jeta e punëtorëve të nëntokës. “Situata në të cilën ndodhen minatorët, veçanërisht të kompanisë Albchrome, është dramatike. Nga njëra anë janë të shqetësuar prej rrezikut që iu kanoset nga infektimi me Covid-19, ndërsa në anën tjetër janë të detyruar të shkojnë në punë. Si të mos mjaftonin këto, policia kërkon të zbatojë masat e jashtëzakonshme për situatën dhe i kërcënon me gjoba nëse kalojnë në rrugë jashtë orarit të lejuar, 05:00-13:00, ndërsa minatorët në video punonin në turnin 15:00 deri në 23:00. Shteti duhet të marrë masa të menjëhershme! Jetët e minatorëve vlejnë më shumë se milionat e pronarëve! – thuhet në denoncimin e Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës.