Lehtësimi i masave për zonat e gjelbërta ka dhënë efekt të menjëhershëm edhe në Peshkopi. Qytetarët e Dibrës kanë mbushur rrugët e qytetit verilindor me lëvizje masive. Duke shfrytëzuar edhe motin e mirë, qytetarët shëtitën gjatë gjithë ditës në bulevardin “Elez Isufi”. Por ajo çfarë ra në sy ishte mungesa e distancimit social. Qytetarët lëviznin ën grupe të mëdha pa asnjë masë mbrojtëse, madje ngjitur me njëri-tjetrin. Megjithëse Dibra deri tani është zonë e pastër zyrtarisht nga të prekurit me Covid-19, qytetarët po neglizhojnë masat e kërkuara nga autoritetet. Lehtësimi i masave në Qarkun Dibër, është pritur mirë nga qytetarët të cilët prej ditësh kërkonin lëvizje të lirë brenda qarkut. Nga kjo e hënë, janë hapur edhe shumë biznese të shitjes me pakicë, duke bërë që qytetet dalëngadalë të marrin gjallërinë e para Marsit