Nuk ka zbatim të marrëveshjes pa u ratifikuar në parlamentet e dyja vendeve

Nuk ka zbatim të marrëveshjes pa u ratifikuar në parlamentet e dyja vendeve

Marrëveshja e nënshkruar në Peshkopi mes Ministrave të Brendshëm të Shqipërisë, Besfort Lamallari dhe atij të Maqedonisë së Veriut Pançe Toshkovski, nuk mund të zbatohet pa kaluar në parlamentet e të dyja vendeve. Marrëveshja parashikon që qytetarët e të dyja vendeve do të hyjnë nga pikat doganore që lidhin Shqipërinë me Maqedoninë e Veriut me vetëm një ndalesë, njohur ndryshe si “One Stop”. Ndonëse në momentin e nënshkrimit ministrat deklaruan implementim të marrëveshjes në Korrik, kjo mbetet pezull për sa kohë ende nuk janë ratifikuar në parlamentet e të dyja vendeve. Dokumenti i firmosur mes ministrave do të shkojë në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut ku do të kërkohet miratimi i tij e po e njëjta gjë duhet bërë edhe nga pala shqiptare. Burime për “Mat Televizion” thanë se kjo marrëveshje pritet të ratifikohet në ditët në vijim që të marrë më pas fuqi zbatuese në terren. Por nëse, marrëveshja nuk kalon brenda muajit Korrik, ajo mbetet për muajin Shtator, pra pas përfundimit të sezonit turistik. Gjithsesi qytetarët e të dyja vendeve e mirëpresin këtë marrëveshje e cila shkurton kohë gjatë udhëtimit të ndërsjelltë mes shtetasve të Shqipërisë dhe atyre të Maqedonisë së Veriut.