Hedhja e mbeturinave të ndryshme përgjatë rrugëve nacionale është problematikë e vazhdueshme në të gjithë vendin. Ky fenomen shihet edhe në ato zona ku janë vendosur kontejner mbeturinash nga pushteti vendor apo shumë pranë tyre ka pika të grumbullimit të mbetjeve nga bashkitë.
I ngjashëm është edhe rasti i ndotjes së mjedisit në afërsi të Qafës së Buallit sapo merr rrugën për në Martanesh.
Prej kohësh në këtë zonë depozitohen mbetje të ndryshme nga plastika, metalet e deri tek orenditë shtëpijake. Për të humbur gjurmët e ndotjes, shpeshherë atyre ju vihet flaka, duke rrezikuar edhe masivin pyjor me pishë të zezë dhe dushqe në afërsi të zonës.
Ndërkohë, deri tani nuk është raportuar asnjë masë ndëshkimore nga autoritetet vendore të Bulqizës apo ato të mbikqyrjes së mjedisit. Siduket hedhja e mbeturinave këtu ka mbetur ende pa një autor, ose e kundërta, institucionet nuk kanë bërë punën e tyre për të zbuluar ndotësin e mjedisit.