Prej dy ditësh njësia Operacionale e Lëvizshme e Qarkullimit rrugor është stacionuar në Qarkun Dibër. Në 24 orët e fundit kjo njësi operacionale në bashkëpunim me efektivët e qarkullimit rrugor në Qark ka zhvilluar kontrolle të shumta në qendrat urbane dhe rrugët nacionale. Si pasojë e kontrolleve janë ndëshkuar mbi 150 drejtues automjetesh të konstatuar në shkelje të kodit rrugor. Mësohet se 86 drejtues automjetesh janë dërguar në komision për mosvendosje të rripit të sigurimit, përdorim të telefonit celular gjatë vozitjes, etj. Nga ky aksion janë pezulluar 7 leje drejtimi. Gjithashtu janë vendosur masa me gjobë për 13 drejtues automjetesh për parkim në vende ku është e ndaluar. 15 masa janë vendosje për shkelje të ndryshme të kodit të qarkullimit rrugor.
Burime nga Drejtoria Vendore e Policisë së Qarkut Dibër bëjnë të ditur se operacione të tilla do të zhvillohen edhe në ditët në vijim. Sipas uniformave blu, ky aksion ka si qëllim ndërgjegjësimin e përdoruesve të rrugës për të shmangur aksidentet dhe të jenë zbatues të rregullt të Kodit Rrugor.