Prej një muaji tashmë të gjithë shqiptarët që jetojnë në vende të ndryshme të botës kanë mundësinë të regjistrohen për të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të 11 Majit në vendin tonë.
Teksa më 11 shkurt është mbushur fiks një muaj nga hapja e këtij procesi, rezulton se në total janë regjistruar dhe ju është miratuar kërkesa mbi 125 mijë qytetarëve nga diaspora.
Sa i përket qarqeve, kryeson Tirana me mbi 25 mijë, ndërsa në fund rezultojnë qarqet Dibër e Kukës me nga 5 mijë të regjistruar.
Nga të dhënat që janë publike në faqen zyrtare të Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve rezulton se për qarkun Dibër ka patur 8,700 kërkesa, ku deri tani janë miratuar 5 mijë, ndërsa pjesa tjetër janë refuzuar.
Partitë Politike e kanë përqendruar momentalisht fushatën e tyre në diasporë ku po zhvillojnë takime në çdo shtet të botës ku ka shqiptar për tju kërkuar atyre votën në zgjedhjet e 11 Majit.
E ndërsa ka mbetur më pak se një muaj nga mbyllja e procesit të regjistrimit të shqiptarëve të diasporës, pritet që numri i votuesve nga jashtë të jetë akoma më i madh, i nxitur edhe nga forcat politike të cilat kërkojnë që të jenë qeverisëse e Shqipërisë pas zgjedhjeve të 11 Majit.