Mes emocioneve të nxënësve, e mësuesve ka nisur viti i ri shkollor 2024-2025 edhe në Bulqizë për 2.963 nxënësit në të gjithë rrethin.
Në këtë Bashki ka pasur një rënie të vogël të numrit të nxënësve, si për klasat e para ashtu edhe për klasat e dhjeta, krahasuar me vitin e kaluar shkollor.
Sipas zyrës arsimore Bulqizë aktualisht në bankat e shkollës do të ulen për herë të parë 272 nxënës dhe në klasat e 10-të të gjimnazit do të ulen 171 nxënës.
Në nisjen e ditës së parë të shkollës Kryetarja e bashkisë së Bulqizës Festime Mjeshtri u shpreh se “këtë vit të gjitha shkollat janë sistemuar me ambiente të mira dhe u angazhua se do të kemi gjithë vëmendjen që nxënësit e të gjitha shkollave të kenë kushte edhe më të mira”.
Në bashkinë Dibër, 6.351 nxënës u ulën këtë vit në bankat e shkollës, ose afro 300 nxënës më pak se vitin e kaluar shkollor. Shifrat bëhen publike nga Zyra Vendore e Arsimit të Dibrës, që njofton se të gjithë nxënësit janë pajisur me tekste mësimore por mbetet problem sistemimi i 10 mësuesve që janë punësuar me kontrata.
Ndërkohë në Bashkinë Dibër janë mbyllur 4 shkolla vartëse dhe nxënësit kanë kaluar në shkollën qendër.
Shkak për këtë rënie të ndjeshme të numrit të nxënësve është bërë migrimi dhe ulja e lindshmërisë, duke krijuar një tkurrje të madhe të popullsisë.