Lagjja e re e Bulqizës pritet të pësojë një ndryshim total pas një investimi që ka nisur në të.

Një projekt i financuar nga vetë Bashkia Bulqizë do të bëjë të mundur rehabilitimin e të gjitha rrugëve të brendshme të kësaj lagjeje, përfshirë këtu edhe trotuare e ndriçim.

Projekti në fjalë kap vlerën e rreth 24.5 milion lekëve të rinj dhe firma fituese e këtij projekti, ka nisur zbatimin e tij në terren.

Kantieri i ndërtimit është hapur ndërsa afati i përfundimit të punimeve është tre muaj.

Burime pranë Bashkisë Bulqizë thane se investimi do të përfshijë jo vetëm rehabilitimin e rrugëve, por edhe të krijimit të hapsirave çlodhëse për banorët e lagjes së Re.

Pjesa jugore e kësaj lagjeje ka qenë e sistemuar, ndërsa në gjendje të amortizuar ishte infrastruktura në bllokun verior të banimit në lagjen e re.

Drejtues aktual të Bashkisë Bulqizë thanë se të tjera projekte ka për të dy lagjet e Bulqizës, ndërsa kanë mbetur vetëm në letër për shkak të mungesës së fondeve.