Pas vendosjes së tabelës informuese të investimit, firma zbatuese e projektit ka nisur punën për ndërtimin e Urës së fshatit Dom në Njësinë Administrative Gurrë në bashkinë e Klosit.

Aktualisht punimet po bëhen për hapjen e bazamenteve anësore ku do të bëhet mbështetja e trarëve në të dy anët e lumit Mat.

Ura e re po ndërtohet në anën e djathtë të urës ekzistuese, tip pasarel në drejtim të fshatit Dom. Ndërkohë, puna e firmës pritet të përqendrohet në ndërtimin e bazamenteve anësore për shkak se lumi i Matit aktualisht ka prurje të mëdha si pasojë e shirave gjatë këtij muaji.

Ndonëse afati i përfundimit të investimit është gjashtë muaj nga nisja e punimeve, ndërtimi i këmbës në lumin Mat me lartësi të konsiderueshme pritet të jetë procesi më i vështirë për shkak se jemi në stinët e shirave dhe dëborës.

Ndërtimi i urës së re prej betoni mbi lumin Mat për fshatrat Dom e Zall-Rripë të Gurrës, është një investim jetik për qindra banorë të cilët prej 30 vitesh kanë vuajtur mungesën e këtij investimi, ku si pasojë ka patur edhe humbje jete njerëzore në urën tip pasarel.