Nis pastrimi i pishave të djegura në Plan të Bardhë
Bashkia e Klosit ka nisur punën për pastrimin e masivit me pishë të djegur mbi fshatin Plan i Bardhë. Kujtojmë se ky masiv pyjor u djeg nga një zjarr i rënë në Korrik të vitit të kaluar duke shkaktuar një dëm shumë të madh ekonomik. Fillimisht u aludua që zjarri të ketë qenë i qëllimshëm në mënyrë që sipërfaqja që përfitohej të përdorej për ndërtimin e një parku fotovoltaik, por deri tani nuk është vërtetuar një gjë e tillë. Megjithatë, edhe pse kanë kaluar më shumë se 10 muaj që nga rënia e zjarrit, autoritetet e drejtësisë nuk kanë një autor të ndaluar apo të dyshuar për zjarrvënien. Prej dy ditësh Bashkia Klos ka nisur një aksion për pastrimin e të gjitha pemëve të pishës të përshkuara nga flakët. Punonjës të kësaj bashkie kanë nisur punën për marrjen e lëndës drusore e cila mund të ripërdoret për nevojat e saj, kryesisht për dërrasë në shtrimin e urave tip bel apo pasarel që ndodhen në disa fshatra. Burime pranë drejtorisë së pyjeve pranë Bashkisë Klos thanë se puna do të vijojë fillimisht me pastrimin e të gjithë zonës së djegur me heqjen e drurëve, ndërsa më pas do të ketë një fazë të dytë për ripyllëzim. Kjo e fundit pritet të bëhet gjatë periudhës së vjeshtës apo dimrit të ardhshëm, pasi tani nuk është koha e përshtatshme për mbjelljen e pishave.