Pas lajmit të transmetuar në Mat Televizion në lidhje me dëmtimin e rrugës nacionale Klos – Qaf Buall, firma mirëmbajtëse ka nisur ndërhyrjen për riparimin e pjesëve problematike.
Kjo është e treta herë që ndërhyhet në segmentin e fshatit Kloskatund pasi asfalti që shtrohet dëmtohet shumë shpejt. Gropat e mëdha kishin vështirësuar qarkullimin normal të automjeteve, megjithëse trafiku më i madh bëhet nëpërmjet rrugës së Arbrit nga fshati Plan i Bardhë.
Sipas ekspertëve të rrugëve, problemet në këtë segment kanë të bëjnë me nënshtresat të cilat duhet të jenë brenda standarteve të kërkuara, pasi në të kundërt shtrimi me asfalt do të jetë i kotë. Po ashtu, kërkohet që të bëhet hapja dhe e kanaleve kulluese në mënyrë që ujërat e shiut të mos rrjedhin përmes rrugës, pasi bëhen shkak për dëmtimin e asfaltit.
Aksi rrugor Klos – Qaf Buall është pjesë e kontratës B të rajonit Qëndror e Verilindor të mirëmbajtjes së rrugëve nga autoriteti rrugor Shqiptar. Edhe pse qarkullimi më i madh i automjeteve aktualisht bëhet nga rruga e Arbrit, kjo rrugë mbetet aks kombëtar e jo vetëm për fshatrat e Klosit.