Me shpalljen e 2024-trës si vit të gjuhës shqipe, Ministria e Arsimit është angazhuar në ndërmarrjen e aktiviteteve të reja. Urdhri më i fundit nga ky institucion udhëzon për herë të parë organizimin e një konkursi kombëtar të Gjuhës shqipe me nxënësit e klasave të 9-ta në arsimin parauniversitar. Konkursi do të realizohet në disa faza, dhe këtë të martë ishte në nivel shkolle. Më pas ai do të bëhet mes shkollave për tu përmbyllur në një përballje mes më të mirëve, ku do të zgjidhen edhe fituesit.

Edhe në 10 shkollat 9-vjeçare të Bashkisë Mat, konkursi u realizua në të njëjtën kohë. Grupet konkuruese u vlerësuan nga juritë përkatëse të zgjedhura për çdo shkollë. Drejtoresha e Zyrës Vendore Arsimore Mat, Shpresa Tusha tha se e gjithë infrastruktura ka qenë e parapërgatitur në mënyrë që gjithçka të ishte gati më 12 mars. Tusha shtoi se kjo është faza e parë e konkursit pasi në fazën e dytë do të ketë përballje mes shkollave të bashkisë së Matit e më pas fituesi do të jetë pjesëmarrës në fazat pasardhëse. Ky konkurs, sipas Tushës, synon të nxisë ndjenjën e krenarisë dhe përkatësisë tek fëmijët që nga mosha e vogël, duke i motivuar ata për të zbuluar thellësitë e Gjuhës dhe Letërsisë shqipe.

Me pjesëmarrjen e mbi 11 mijë nxënësve nga të gjitha shkollat 9-vjeçare, konkursi do të zhvillohet në nivele lokale dhe kombëtare, ku 16 ekipet më të mira do të përballen në gjysmëfinalet. Finalja e madhe do të shpallet në një festë të dijes, si një vëmendje ndaj gjuhës shqipe, si pasuria më e madhe që kemi trashëguar brez pas brezi dhe po ua trashëgojmë edhe fëmijëve shqiptarë në diasporë.