Ndeshjet e të shtunës do të jenë të fundit për fazën e dytë të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Por ndryshe nga vitet e kaluara, në këtë sezon ka një ndryshim sa i përket ekipeve që do të luajnë ndërmjet tyre në fazën e tretë. Tashmë është vendosur që nuk do të ketë përgjysmim të pikëve, duke i lënë skuadrat me aq pikë sa kanë marrë në 18 javë. Pas mbylljes së javës së 18 katër ekipet e para të grupeve do të përballen me njëra-tjetrën për kalimin në superligë ndërsa ekipet e tjera do të përballen për të mbijetuar. Pas ndeshjes së të shtunës së kaluar, Burreli ndodhet në vendin e katërt në Grupin A me 23 pikë, pasuar nga Erzeni i Shijakut me 22 pikë. Matjanët do të përballen në transfertë me Tërbunin e Pukës. Ndërkohë ndeshjet që përcaktojnë 4 ekipet që do të luajnë sëbashku në fazën e tretë janë Besëlidhja – Erzeni dhe Kastrioti – Korabi. Nëse ekipi i Shijakut arrin të marrë tri pikë ndaj Besëlidhjes dhe Burreli humbet në Pukë apo del barazim, matjanët ndërrojnë vendet në tabelë me Erzenin. Por për të siguruar qëndrimin në katër më të mirat e grupit A, Burrelit i duhet patjetër fitorja e tij ndaj Tërbunit apo fitorja e Besëlidhjes ndaj Erzenit.