Prej të paktën 3 vitesh, asnjë protestë nuk është zhvilluar në qytetin e minatorëve në Bulqizë. Krijimi i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, riktheu zërin minator për të drejtat në publik, por që prej vitit 2020, nuk është zhvilluar më asnjë protestë.
Edhe pse gjatë këtyre viteve ka patur aksidente në galeritë e kromit në këtë zonë, thuajse të gjitha sindikatat në mbrojtje të minatorëve kanë heshtur.
Edhe në ngjarjet e fundit, reagimi i vetëm ka qenë i Sindikatës së Minatorëve të Bashkuar të Bulqizës, ndërsa asnjë nga sindikatat tradicionale jo vetëm që nuk reagoi si 10 vite më parë, me protesta, por as një status në rrjetet sociale.
Minatorët e Bulqizës, vazhdimisht janë shprehur se ndjehen të braktisur nga sindikatat, pasi nuk e kanë ngritur zërin për shqetësimet e tyre që lidhen me pagën dhe sigurinë në punë.
Sipas minatorëve, nëse sindikatat nuk reagojnë për ngjarjet e rënda, të paktën, të ngrejnë zërin atje ku janë në Tiranë dhe të kërkojnë miratimin në parlament të statusit të minatorit. Premtim ky i dhënë nga të gjitha qeveritë e të paktën 20 viteve të fundit demokraci.