Një ngjarje e rëndë është shënuar 3 netë më parë në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bulqizës, por që vetëm sot është bërë publike. Persona të maskuar dhe të armatosur kanë hyrë në një lokal të fshatit ku gjendeshin rreth 20 persona, ndërsa kanë dhunuar rëndë një 25 vjeçar. Kjo ngjarje bëhet e ditur nga një banorë i cili është edhe anëtarë i pleqësisë së fshatit. Gëzim Miftari thotë se mes personave që panë terror ka qenë edhe djali i tij në lokal. Ai tregon se katër persona të armatosur me armë automatik dhe pistoleta, të maskuar, janë futur në lokal. Njëri prej tyre ka bërë rojë tek dera ndërsa 3 të tjerët kanë hyrë brenda duke kërkuar që të gjithë të zvarriten në tokë. Ata që kanë qenë brenda kanë dhunuar rëndë një djalë 25 vjeç me inicialet F.A duke e goditur me qytën e armës. Pasi e kanë dhunuar fort ata janë larguar ndërsa personat e gjendur aty kanë transportuar të riun në spitalin e Dibrës në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ai dhe banorët e tjerë të fshatit Gjoricë e Poshtme kërkojnë që autorët të arrestohen pasi kanë ushtruar një terror të madh, duke frikësuar të gjithë fshatin.