Në një konferencë shtypi, për ngjarjen e rëndë që ndodhi një ditë më parë në Fier, ku Mateo Veisiu u vra barbarisht nga fqinji, Rama foli për dënimet ekstreme që mund të jepen për këto raste.
Ai tha se dënimi me vdekje nuk është zgjidhje, sepse historia ka treguar se këto dënime nuk sjellin rezultate, pasi persona me këtillë qasje sipas Ramës ndodhen në çdo shoqëri. Ai tha se legjislacioni parashikon masa ekstreme për këto raste, por gjyqtarët duhet të jenë në lartësinë e duhur.
“Jo vetëm në aspektin moral të një shoqërie demokratike, por edhe në aspektin tragjik, dënimi me vdekje nuk i bën të paevitueshme për shoqëritë ngjarje të tilla. Shoqëritë edhe në vendet më të zhvilluara, edhe në ato me nivelin më të lartë të civilizimit tonë, e kanë në gjirin e tyre edhe këto qenie që janë në gjendje të shkojnë deri në shfaqjet më ekstreme të asaj që ka mbetur nga kafsha në qenien e njeriut. Kështu që, rikthimi i dënimit me vdekje nuk është as i mundur dhe as formulë apo shkop magjik për të parandaluar të tilla ngjarje, të cilat siç e dimë ndodhin në të gjitha shoqëritë.
Por edhe krime që në mos vrasje kanë rezultuar në përdhunime, në dhunë ndaj grave dhe që janë lënë të lirë në sallën e gjyqit apo kanë marrë dënime shumë herë më të ulëta se sa parashikon legjislacioni dhe i kanë përsëritur ato duke shkaktuar dhimbje dhe plagë të pa nevojshme dhe të evitueshme. Patjetër që mundësitë për të rishikuar legjislacionin janë gjithmonë, por thelbi është ngritja e trupave gjykues në nivelin e legjislacionit. Po reflektojmë në ndërhyrje në legjislacion, të cilën do e përfshijmë në konsultimin kombëtar që unë e kam lajmëruar”, tha Rama.