Ekrani i Mat Televizionit u krijua në një kohë kur qyteti i Burrelit e kishte ende të frekskët piskamën e ngjarjeve të zymta të vitit 1997. Sinjali i kësaj hapësire mediatike erdhi si një jehonë shprese se në këtë qytet mund të ndodhnin edhe gjëra të bukura, gjëra që sillnin zhvillime pozitive. Në të vërtetë, kështu rezultoi. Shumë shpejt ky televizion u bë hapësira ku çdo qytetar mund ta gjente veten dhe mund të përcillte zërin e vet për problemet që e shqetësonin komunitetin. Objektiviteti i trajtimit të lajmeve dhe profesionalizmi i stafit i dhanë kartën e besueshmërisë këtij ekrani qysh në ditët e para të transmetimeve.
Në vitin 2000, kur unë isha vetëm 16 vjeç, pata kënaqësinë e veçantë të bëhesha pjesë e stafit të këtij televizioni, ku çdo të premte realizoja emisionin e drejtpërdrejtë “Të argëtohemi së bashku”. Për të dy vitet e punës sime në këtë televizion, unë ruaj në zemrën time mirënjohjen më të thellë dhe respektin më të madh për të dy drejtuesit e Televizionit, Lutfiun dhe Afrimin dhe të gjithë stafin e bashkëpunëtorëve, sepse jam ndier si në familjen time.
Përvoja që mora në Mat Tv më ka ndihmuar shumë në hapat e mëtejshëm, edhe pse nuk merrem mirëfilli me televizionin.
Uroj që ky televizion të vijojë të festojë përvjetore pa fund dhe pastë suksese të pashtershme!
Paçi motivim për të punuar po me aq zell sa deri më tani dhe për ta vijuar misionin tuaj në drejtim të informimit e gjithëpërfshirjes së qytetarëve matjanë në këtë kanal televiziv!