Duke marr shkas nga rasti i Vlorës, ku shefi i qarkullimit rrugor ka shkelur masat e marra, duke luajtur futboll në kohë karantine, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, u ka nisur një mesazh drejtuesve të policisë në qarqe dhe shefave të komisariatit, duke i ngarkuar ata me pergjegjësi që të monitorojnë zbatimin e masave jo vetëm të qytetarëve por edhe të vartësve të tyre. Veliu ka kërkuar që gjatë të dielës punonjësit e policisë të ndahen në patrulla këmbësore, së bashku me punonjësit e forcave të ndërhyrjes së shpejtë, e të mos lejojnë grumbullime apo thyerje karantine nga qytetarët.  Duke qenë se nga e hëna pritet që të ketë lehtësim të masave, Veliu porosit që të ketë impenjim më të madh të punonjësve të policisë të çfarëdo shërbimi, që, në mënyrë të pandërprerë, të ushtrojë kontroll nëse qytetarët janë të pajisur ose jo me autorizimin përkatës të lëvizjes. Edhe mjetet që janë në lëvizje duhet të ndalohen pa përjashtim për të verifikuar nëse janë të pajisur me autorizim. Një vëmendje të veçantë Veliu ka kërkuar që policia të këtë në ambjente publike, parqe, lulishte apo bulevarde, ku edhe në fashat e lejuara të daljes të mos ketë grumbullime.