Pas përfundimit të dy ndeshjeve të ligës së kombeve, ku kombëtarja jonë e futbollit pati përballjet me Çekinë dhe Ukrainën, do të rikthehen garat zyrtare për kampionatin kombëtar dhe kupën e Shqipërisë.

Të mërkurën do të luhen ndeshjet e turit të dytë të kupës së Shqipërisë në futboll ku Burreli do të luajë në Fier përballë Apolonisë.

Ndeshja do të jetë një sfidë tjetër për Burrelin i cili përqendrimin më të madh e ka në garën për kampionat, por këtë vit do të tentojë të ketë ecuri edhe në garën për Kupën e Shqipërisë.

Takimi i së mërkurës për llogari të turit të dytë eleminator do të zhvillohet në orën 13:00.

Ndërkohë, ndeshja e javës së 13 të kampionatit të kategorisë së parë do të zhvillohet të dielën në Tropojë, ku do të përballet ekipi vendës i Valbonës me Burrelin.

Për të dyja ndeshjet, skuadra e drejtuar nga tekniku Ditmar Bicaj, është përgatitur intensivisht për të dalë si fituese, por gjithçka mbetet për tu parë të Mërkurën dhe të Dielën e ardhshme.

Gara për ekipin e futbollit Burreli është vështirësuar pasi tre ekipet në renditje pas tij, kanë vetëm dy pikë diferencë teksa matjanët kanë grumbulluar 17 pikë, më pas vijnë Apolonia, Lushnja dhe Pogradeci me nga 15 pikë.