Të mërkurën do të zhvillohen ndeshjet e javës së 12 të kampionatit të kategorisë së parë në futboll. Ndeshja në mesjavë u shty për shkak se kombëtarja jonë e futbollit luajti të hënën ndeshjen e fundit për eleminatoret e europianit të vitit të ardhshëm, kundër Ishujve Faroe. Ndërkohë, sfida e nesërme kundër Bylysit në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit do të jetë e para për trajnerin e sapo emëruar në krye të pankinës matjane, Klevis Hima.

Ky i fundit e mori detyrën pas largimit të trajnerit Dorian Bubeqi i cili u shkarkua pas humbjes së thellë në shtëpi ndaj Luzit të Vogël 2008.

Koha për përgatitjen e skuadrës matjane ka qenë e shkurtër për teknikun Hima i cili e mori zyrtarisht detyrën ditën e shtunë, megjithëse është njohur me skuadrën dhe lojën e saj gjatë muajve të fundit.

Ndeshja mes Burrelit dhe Bylisit do të luhet nesër në orën 13 e 30 minuta, në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit.

Aktualisht ekipi i futbollit “Burreli” është i pozicionuar në vendin e 10-të nga 12 skuadra në garë për Kategorinë e Parë të kampionatit kombëtar në futboll.