Të shtunën e 16 dhjetorit ekipi ynë i futbollit “Burreli” do të zhvillojë ndeshjen e fundit për këtë vit kalendarik në kampionatin e futbollit të kategorisë së parë 2023 – 2024.

Matjanët do të presin në shtëpi ekipin e “Apolonisë” së Fierit, një skuadër kjo e cila është një nga pretendentet për të kaluar në Superligë sezonin e ardhshëm. Megjithatë, për trajnerin e Burrelit, Klevis Hima, skuadra që ai drejton do të bëjë maksimumin për të marrë tri pikë në këtë përballje pasi është e domosdoshme, tha ai, që Burreli të kthehet aty ku e meriton. Hima shtoi gjithashtu se i gjithë formacioni është i plotë dhe se djemtë janë më të motivuar se kurrë për ta mbyllur me fitore vitin 2023, ku më pas do të mendohet për pjesën e mbetur të kampionatit.

Ndeshja mes “Burrelit” dhe “Apolonisë” do të luhet nesër, në orën 13 e 30 minuta, në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit të Burrelit, ndërsa stafi teknik iu kërkon tifozëve mbështetje maksimale për lojtarët në fushën e gjelbër.