Ekipi i Burrelit do të luajë nesër ndeshjen e javës së tretë në kampionat. Matjanët do të presin në stadiumin “Liri Ballabani” ekipin e Dinamos. Burreli vjen në këtë ndeshje pas dy humbjeve në transertë në dy javët e para të këtij sezoni, atë ndaj Shkumbinit dhe atë ndaj Egnatias. Megjithatë, drejtues të stafit teknik thonë se mobilizimi për të sjellë ndryshim të performancës ka qenë i madh gjatë kësaj jave. Trajneri i portierëve në ekipin e Burrelit, Kastriot Rama thotë se nëse djemtë do të zbatojnë të gjitha udhëzimet e dhëna gjatë kësaj jave ku i janë nënshtruar një stërvitje intensive, atëherë ndeshja do të jetë e fituar.
Ajo çfarë kërkojnë drejtues të ekipit por edhe të klubit është mbështetja e tifozërisë. Pas investimeve të bëra kohët e fundit në stadium, sportdashësit do të jenë më komod gjatë qëndrimit në zhvillimin e ndeshjes. Në këto kushte drejtuesit kërkojnë pjesmarrje sa më masive të tifozëve për të mbështetur ekipin në fushën e lojës e për t’i dhënë atij forcë për ta fituar ndeshjen.