Mbledhja e drejtorëve me nënprefektin
Drejtuesit e institucioneve kryesore në Mat zhvilluan këtë të martë mbledhjen e radhës me Nënprefektin e Matit Hasan Pasha. Ata raportuan për realizimin e detyrave të lëna në mbledhjen e kaluar. Komandanti i Detashmentit Mbështetës Burrel bëri me dije se gjatë muajit shtator patën një vatër zjarri në Lurë dhe forcat arritën ta shuajnë atë. Ai kërkoi që bashkitë dhe njësitë administrative të bashkëpunojnë më shumë me forcat e ushtrisë.

Për drejtuesit e arsimit problem mbetet ulja e numrit të nxënësve me më shumë se 300 fëmijë krahasuar me vitin e kaluar. Drejtoresha e Zyrës Arsimore Vendore Mat Shpresa Tusha tha bashkia ka kryer investime të rëndësishme në shkollat 9 vjecare dhe të mesme. Tërmeti i 21 Shtatorit nuk ka shkaktuar dëme në objektet e arsimit. Për drejorinë e spitalit “Xhavit Mara” problem mbeten fondet për transportin e rasteve urgjente pasi dy muajt e fundit ato mungojnë.

Drejtori i shërbimeve bashkiake Mat, Elson Reçi përmendi punët e kryera nga bashkia Mat për pastrimin e qytetit, largimeve e disa objekteve në rrugët kryesore të qytetit, investimet në stadiumin “Liri Ballabani”, disiplinimin e mbetjeve, largimin e ujërave të zeza në disa lagje, etj. Po ashtu theksoi se janë marrë masa për sigurimin e druve të zjarrit për shkollat si dhe kripë e skorie për situatën dimërore.

Ndërkohë, drejtues të institucioneve të tjera morën udhëzimet e nevojshme për periudhën në vazhdim, sidomos në muajt e fundit të vitit. Shirat që pritet gjatë muajve të vjeshtës mund të krijojnë probleme në qarkullimin e zonave rurale e për këtë u kërkua marrja e masave paraprake.

Një tjetër kërkesë e nënprefektit Pasha ndaj drejtuesve të institucioneve ishte edhe komunikimi me qytetarët. Ai kërkoi nga ata që të presin çdo qytetar që ju drejtohet atyre me komunikimin më të mirë, pavarësisht mundësisë për zgjidhjen e problemit. Realizimi i detyrave do të raportohet në mbledhjen e radhës që mbahet pas një muaji.