Në këtë luftë kemi mundësi të luftojmë të gjithë.... veç duke qëndruar në shtëpi!

Në këtë luftë kemi mundësi të luftojmë të gjithë.... veç duke qëndruar në shtëpi!

Opinion nga Dritan Kurti

Në historinë e luftërave njerëzore popujve iu është kërkuar nga udhëheqësit të marrin shtizat, shpatat, armët, tanket e municione të tjera luftarake për të dalë në betejë me armikun.
Luftëtarët ishin kryesisht burrat, e ndërsa nënat, gratë dhe motrat e tyre luteshin të ktheheshin shëndoshë nga betejat e përgjakshme.

Por kjo luftë nuk është si ato betejat e mëdha që kemi mësuar nga historia, as nuk është nga ai lloji që po ndodh në lindjen e mesme!

Kjo është një luftë më e rrezikshme sepse ti nuk mund ta vrasësh armikun siç është vrarë me ato format më lart. E nëse del në rrugë, në park, në sheshe, nuk vret armikun, por familjarët e tu, ata me të cilët pije kafen e mëngjesit, kolegët e punës e gjithë shoqërinë tënde.

E vetmja mënyrë për ta vrarë këtë armik është të mos përballesh me të. Pra lufta jote është të mos bësh asgjë, të mos marrësh armën në krah e të dalësh në betejë, duke lënë prindërit, gruan, fëmijët, vëllain e motrën me sytë nga dera!
Kjo është një luftë që ti, unë e të gjithë mund ta fitojmë vetëm duke qëndruar në shtëpi, me prindërit, bashkëshorten, fëmijët, vëllezërit e motrat!

Prandaj mos u hiq si i fortë, si i paprekshëm, i pamposhtur, por qëndro në shtëpi e ta fitojmë këtë betejë!

Qëndronështëpi

PAfrikë

PApanik

Pormeshumëkujdes