Zona e Shkopetit vijon të jetë problematike sa i përket ndotjes që shkaktohet nga udhëtarët. Megjithëse rruga pastrohet çdo muaj nga punonjës të drejtorisë së Shërbimeve Bashkiake të Bashkisë së Matit, ndotja rikthehet.
Zona më problematike mbetet ajo në “Vabli” ku dhjetra udhëtarë ndalojnë çdo ditë për të pushuar. Burimet e ujit që shfrytëzohen për të mbushur ujë nga qytetarë që vijnë nga zona të ndryshme, janë shkaku kryesor që sjell ndotjen në këtë zonë.
Të gjithë ata që mbushin ujë lënë në vend ose i hedhin poshtë rrugës bidonat plastik të cilët nuk i përdorin më. Në mungesë edhe të kontejnerit të mbeturinave, kjo zonë është e tejmbushur me plastikë e hedhur nga ata që shfrytëzojnë burimin e ujit.
Megjithëse në të gjithë rrugën janë vendosur tabela ndërgjegjësuese për të mbajtur pastër mjedisin, ato nuk janë respektuar aspak nga udhëtarët e pandërgjegjshëm të cilët e shohin natyrën si një venddepozitim mbeturinash, pa marrë parasysh pasojat mjedisore apo në shëndetin e njeriut.
Lugina e Shkopetit tërheq çdo ditë vizitor nga të gjitha anët e vendit, por edhe të huaj, falë pamjes së rrallë që ka kjo zonë.