Ditët me shi, të cilat bëjnë të mundur fryerjen e lumit Mat, nxjerrin në pah një problematikë të vazhdueshme të mjedisit, atë të ndotjes. Por jo vetëm kaq, shtrati i lumit të Matit siduket është kthyer edhe në një vend për hedhjen e kafshëve të ngordhura. Prej ditësh një e tillë shihet në afërsi të fshatit Bërshi në shtratin e lumit dhe që është kthyer në ushqim për qentë endacakë.Banorët e zonës janë të shqetësuar se kafsha mund të ketë  ngordhur nga ndonjë infeksion, dhe qentë që po ushqehen me mishin e saj bëhen burim përhapës i këtij infeksioni në komunitet. Specialistët veterinar thanë se çdo kafshë që ngordh duhet të groposet sipas kushteve në mënyrë që të mos përbëjë rrezik për përhapje infeksionesh, gjë e cila nuk ka ndodhur në këtë rast.

Por ulja e nivelit të ujit në lumin Mat ka nxjerrë në pah edhe një fenomen tjetër, atë të pranisë së madhe të mbetjeve plastike. E nga ana tjetër bimësia anash lumit duket si e dekoruar nga qese plastike e mbetje, të cilat kanë ngecur në to nga rrjedha e ujit, duke nxjerrë në pah ndotjen që i është shkaktuar lumit Mat.