Megjithëse është përcaktuar një venddepozitim për hedhjen e mbeturinave, aksi rrugor nga Qafa e Buallit në drejtim të Krastës së Martaneshit është i ndotur nga mbeturina të konsumit të përditshëm.

Siç duket nga pamjet, mbeturina plastike e mbeturina të tjera janë hedhur në disa pika duke krijuar jo vetëm një pamje të shëmtuar, por edhe ndotje për banorët e fshatit Plan i Bardhë që jetojnë poshtë rrugës.

Mbeturinat e hedhura në këto vende janë plastikë, tekstile, qelq etj. Jashtë kameras banorë të zonës thanë se ato hidhen nga subjekte tregtare që operojnë në qytetin e Bulqizës. Ata shprehen se këto subjekte vijnë aty me automjetet e tyre dhe i derdhin mbeturinat ku të mundin, pavarësisht se pak metra më larg është venddepozitimi i mbeturinave për Bashkitë Bulqizë e Klos.

Situata e ndotjes në këtë zonë është kthyer shqetësuese pasi në shumë raste, për të humbur gjurmët e depozitimit të mbeturinave, këtyre të fundit ju vihet flaka duke rritur ndotjen por edhe duke rrezikuar masivin pyjor me pishë të zezë që është në territorin e Bashkisë së Klosit.