Rekamë

Që prej hapjes së rrugës së Arbrit, zona e Qafës së Murrizit ku dhe kalon bajpasi i rrugës së Arbrit është kthyer në pritëse të vizitorëve ditor gjatë ditëve me diell.

Kryesisht fundjavave, familjarë e miq kalojnë ditën në hapsirat e gjelbra të Qafës së Murrizit. Ndërkohë, situata mbetet shqetësuese sa i përket ndotjes.

Siç duket nga pamjet, ambalazhet e produkteve të konsumuara gjatë qëndrimit në sheshet e kësaj zone janë lënë aty duke shkaktuar një ndotje të panevojshme dhe të rëndë të ambjentit përreth.

  Situata pritet të bëhet akoma më e rëndë gjatë javëve në vazhdim pasi fluksi i vizitorëve ditor gjatë fundjavës pritet të shtohet. Me gjithë apelin mediatik të bërë disa herë nga vetë pushuesit ditor por edhe nga organizata në mbrojtje të mjedisit, vizitorët nuk janë ndërgjegjësuar, duke përsëritur apo duke bërë veprimet e njëjta siç i kanë bërë ata që i kanë lënë mbeturinat aty.

Për banorët e zonës, ky problem kërkon një zgjidhje të shpejtë. Jashtë kameras ata kërkojnë reagimin e strukturave përgjegjëse që të bëhet jo vetëm pastrimi i territorit por edhe të këshillohen pushuesit gjatë fundjavës, pse jo, edhe të ndëshkohen me gjobë nëse i lënë mbeturinat në vendpushim.