Kampionati i kategorisë së parë sidomos për zonën play out ka hyrë në fazën më deçizive, ndaj dhe ekipet po përballen me presione nga më të ndryshmet. Pesë ekipet e dyta të grupeve të kësaj kategorie janë nën trysninë e “pronarëve” në të shumtën e rasteve janë Bashkitë, tifozërisë dhe lojës që në shumtën e rasteve është e pandershme. Gjithsesi ajo që vihet re është diferenca e vogël mes skuadrave që luftojnë për të mbijetuar. Matjanët përballen nesër (të shtunën) me Ilirinë e Fushë – Krujës një ndeshje kjo e cila ka ngjallur pasiguri në kampin matjan. Burime pranë klubit thanë se në Fushë Krujë jo vetëm që nuk kanë sigurinë e nevojshme për zhvillimin e një loje të ndershme, por rrezikohen edhe skenar dhune. Megjithatë, drejtues të stafit teknik thanë për Mat Tv se do të japin maksimumin për të marrë pikë në këtë ndeshje. Të gjitha ekipet janë pretendente për t’i shpëtuar rënies, ndonëse gjithçka varet nga tre javët e mbetura. Pas humbjes së javës së kaluar në Lezhë ndaj Shënkollit, matjanët radhiten të dytët me 19 pikë, kryesuar nga Veleçiku me 20 pikë dhe ndjekur nga Iliria me 18 pikë, Shënkolli 14 pikë e në fund Vora me 12 pikë.