Prej muajsh është ndaluar qarkullimi i mjeteve të tonazhit të rëndë në rrugën nacionale Burrel – Skuraj për shkak të pasigurisë që ka ura e Karicës.
Autoriteti Rrugor Shqiptar pas një inspektimi të bërë me ekspert të fushës, vendosi të mbyllë kalimin e mjeteve të tonazhit të rëndë në këtë urë për arsye sigurie. Për pengimin e kalimit në të janë vendosur blloqe betoni si dhe është plotësuar me sinjalistikë informuese e paralajmëruese. Megjithatë, në shumë raste është evidentuar që mjete të tonazhit të rëndë, me apo pa dijeni mbi rrezikun, kanë kaluar mbi këtë urë.
Për të lajmëruar drejtuesit e mjeteve janë vendosur tabela në Skuraj dhe pranë Urës së Matit në mënyrë që mjetet e tonazhit të rëndë të qarkullojnë nga aksi Ura e Matit – Rrëshen – Skuraj.
Teksa ndalimi i qarkullimit të automjeteve është vendosur dhe herë pas here monitorohet nga policia rrugore, qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve pyesin se kur do të ndërtohet ura e re e Karicës. Sipas burimeve pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, punimet për ndërtimin e urës së re do të nisin në gjysmën e dytë të vitit. Projekti parashikon një spostim të urës së re që që rregullohet edhe kthesa në anën perëndimore.
Janë 27 ura të përfshira në projektin e autoriteteve shtetërore për tu ndërtuar nga fillimi, objekte të cilat nuk kanë garancinë e nevojshme për tu përdorur pasi rezultojnë problematike përsa i përket strukturës së tyre.