Ndonëse në tregjet botërore Çmimi i naftës ka rënë pikiatë, çmimi i karburanteve në vendin tonë vijon të jetë i lartë prej disa javësh. Ndryshe kur mblidhej bordi i hidrokarbureve, me shkrirjen e tij, siduket tregtarët kanë një marrëveshje të heshtur mes tyre.
Kjo sipas specialistëve të fushës, vihet re në çmimin tavan që mbajnë thuajse të gjithë operatorët e tregtimit me pakicë të karburanteve.
Prej disa ditësh, të mos themi javësh, në pikat e karburantit në të gjithë Qarkun Dibër, çmimi është i pandryshueshëm, 199 lekë për litër dhe që e sheh thuajse në çdo tabelë informuese pranë pikave të tregtimit me pakicë të këtij produkti.
Specialistët thonë se çmimi i lartë i karburantëve ndikon direkt në xhepat e qytetarëve jo vetëm tek ata që kanë automjete në përdorim apo pronësi, por edhe tek ata që nuk kanë pasi impakti bie tek çmimet e larta të produkteve dhe shërbimeve.
Megjithëse çmimi naftës në bursën ndërkombëtare është ulur në 81 dollarë për fuçi, në vendin tonë nuk ka asnjë reflektim të kësaj rënie.