Murtaja, autoritetet në alarm, nis kontrolli në çdo fermë
Pak ditë më parë në fshatin Okshatinë të Njësisë Administrative Shupenzë u zbulua një rast i sëmundjes së rëndë tek bagëtia e imët, siç është murtaja. Plot 220 krerë bagëti u asgjësuan nga autoritetet pasi ishin prekur nga infeksioni i rëndë. Por edhe pse rasti u bë mediatik e tashmë është kthyer në një problem kombëtar, autoritetet e shërbimit të veterinarisë apo kontrollit të ushqimit nuk kanë dalë me asnjë deklaratë apo të këshillojnë blegtorët për këtë sëmundje shumë të rëndë që shkakon pasoja të mëdha ekonomike. Nisur nga situata e murtajës në mbarë vendin, këtë të mërkurë Kosova ndaloi importimin e të imtave nga Shqipëria, por autoritetet tona siduket ende nuk e kanë marrë seriozisht. Një situatë e ngjashme me këtë sëmundje ka qenë prezente edhe vitin e kaluar në të gjithë Qarkun Dibër. Qindra krerë bagëti e imtë në ferma të ndryshme u asgjësuan pasi rezultuan të infektuara nga Murtaja. Specialistët thonë duhen marrë masat për izolimin e vatrave të infeksionit dhe ndalimin e menjëhershëm të lëvizjes së bagëtisë së imët nga zonat ku janë aktualisht, pasi rreziku i përhapjes së murtajës është shumë më i lartë. Deri tani e vetmja vatër e zbuluar publikisht është ajo e Shupenzës, ndërsa mungon informacioni për Matin, Klosin e Dibrën.