Mjetet e tonazhit të rëndë që transportojnë krom drejt Durrësit apo Uzinës së Ferrokromit në Komsi, kanë ngecur në unazën e poshtme të qytetit të Burrelit. Për shkak të gjendjes së rënduar të kësaj unaze, mjetet e kanë patur të pamundur deri sa është ndërhyrë, për të shkuar në destinacion. Për pasojë, dhjetra automjeteve mbetën të bllokuar për disa orë në këtë unazë. Është dashur ndërhyrja e një mjeti privat dhe mjeteve të Bashkisë së Matit, që qarkullimi të rihapet. Drejtuesit e mjeteve të tonazhit të rëndë thonë se kjo situatë është e shpeshtë dhe se kërkojnë një zgjidhje të përhershme nga autoritetet. Ata shprehen se qarkullimi nëpërmjet Urakës është thuajse i pamundur për shkak se ura në hyrje të fshatit Perlat është gati në shembje.

  Të kontaktuar nga ana jonë, drejtues të Bashkisë së Matit thanë se për unazën e poshtme të qytetit të Burrelit është dorëzuar pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar një projekt për financim. Sipas tyre, kjo rrugë ka qenë në inventarin e ARRSH prej 30 vitesh dhe është kjo e fundit që duhet të investojë. Ndalimi i qarkullimit të mjeteve të tonazhit të rëndë nëpërmjet qytetit të Burrelit është bërë me vendim të këshillit bashkiak me argumentin se dëmtohen rrugët e brendshme të qytetit dhe vihet në rrezik jeta e qytetarëve.