Pavarësisht protestës së opozitës, PS po mban mitingun në Shkodër, ku mbërriti dhe Kryeministri Rama. Ai u shpreh se Shkodra do të jetë sfida e tij personale e katër viteve të ardhshëm.
“Valdrini do të jetë një kryetar bashkie që do të nisë të shkruar një kapitull të ri për Shkodrën. Dua t’iu them diçka, të gjithëve, jo vetëm juve që jeni këtu: Katër vjet më parë ju thash vlonjatëve se ishte koha për të hapur një kapitull transformimi dhe kushdo që e sheh Vlorën e sot, krahasuar me 4 vjet më parë, e ka të vështirë ta njoh. Sot u them shkodranëve, se Shkodra e katër viteve të ardhshme është edhe sfida ime.
Ata që kanë dalë në rrugë të madhe nuk dinë më se çfarë të ofrojnë tjetër veç kërcënimeve, molotovëve dhe kaosit. Më vjen keq që nuk na u dha mundësia që drejtuesit, kjo këtu është drejtuese, e cila është më e paafta që është ulur ndonjëherë në karrigen e një kryetari bashkie, t’i jepnim përgjigje me votë. Por ata kapitulluan para fillimit të betejës zgjedhore, pasi plani i tyre nuk ka lidhje me të ardhmen. Plani i tyre është plani i katër njerëzve me drejtësinë që po vjen dhe të gjithë ata që i ndjekin nga pas pa e ditur se ku po shkojnë dhe as se ku të nxjerr kjo rrugë qorre”, tha Rama.