Është trajtuar shumë herë problemi i gjendjes së rrugës nacionale Burrel – skuraj por edhe veprave të artit në këtë rrugë nacionale. Problem mbetet ura e quajtur “Ura e Karicës”, e cila është tejet e amortizuar dhe për banorët që jetojnë përreth e drejtuesit e mjeteve është e rrezikshme të kalosh mbi të. Të intervistuarit thonë se degradimi i urës ka ardhur si rezultat i mungesës së mirëmbajtjes e cila bëhet sa për të justifikuar buxhetin e akorduar nga Autoriteti Rrugor Shqiptar. Kalimi mjeteve të tonazhit të rëndë mbi këtë urë, kryesisht ato të transportit të mineralit të kromit është një rrezik i shtuar për gjendjen e urës. Drejtuesit e mjeteve kërkojnë që institucionet të marrin masa të menjëhershme dhe të kërkojnë llogari për paratë që paguhen për mirëmbajtjen e përgjithshme të rrugës nacionale. Ata shprehen se gjendja sa vjen e rëndohet ndërsa firma mjaftohet me prerjen e ferrave apo mbushjen e disa gropave sa për tu justifikuar tek autoritetet përgjegjëse.

Aksi rrugor nacional Burrel – Skuraj vijon të jetë më i degraduari në Qarkun Dibër edhe pse për mirëmbajtjen e tij janë dhënë miliona euro nga taksat e shqiptarëve.