Ministria e Arsimit po i diskuton të gjithë skenarët e mundshëm për vitin shkollor nisur nga situata e pandemisë COVID-19.
Në një intervistë në hapësirën LIVE në Report Tv me gazetaren Aida Tancica, ministrja e Arsimit Besa Shahini, tha se nëse nuk do të krijohet mundësia që brenda majit nxënësit të shkojnë fizikisht në shkollë për të marrë drejtpërdrejt nga mësuesit leksionet online gjatë karantinës, viti shkollor mund të shtyhet me një muaj. Pra, mësimi mund të zhvillohet deri në muajin korrik.
Më të prekurit nga kjo situatë janë maturantët. Ministrja e Arsimit tha se nëse maji nuk do të hapë shkollat, leksionet e marra online nuk do të përfshihen në pyetjet e provimit të maturës. E po ashtu, nëse krijohet nevoja që viti shkollor të shtyhet me një muaj, atëherë edhe aplikimet për në universitet do të shtyhen me një muaj.
Ministrja tha se nuk do të përsëritet viti dhe se provimet do të bëhen, duke këmbëngulur se ky është një prioritet që ministria po punon për ta realizuar. Besa Shahini u shpreh se nisur nga kërkesat e prindërve, do të lejohen të përsërisin vitin ata që e ndjejnë se nuk kanë përvetësuar njohuritë, por jo si gjeneratë e tërë.
Ministrja e Arsimit, Besa Shahini tha se maturantët nuk duhet të shqetësohen për provimet e maturës, të cilat i hapin dyert më tej për të shkuar në universitet. Në intervistën e saj për Report Tv ajo sqaroi se nëse nuk do të krijohet mundësia (në varësi të situatës me pandeminë), që ata të shkojnë të paktën për dy javë fizikisht në shkollë, leksionet e marra online në shtëpi, nuk do të përfshihen në testimin e fundit. Pra, mësimi që është marrë gjatë kohës së karantinës, nuk do të jetë pjesë e pyetjeve për testin e maturës.
“Maturantët nuk kanë nevojë të shqetësohen. Leksionet në kushte shtëpie, nëse nuk do t’i përsërisim në shkollë nuk do të jenë në pyetje të provimit të maturës. Për testin e maturës thjesht nuk do të ketë pyetje në leksionet që do ishin zhvilluar në mars, prill, maj, nëse nuk kthehemi në shkollë t’i zhvillojmë aty. Testet do bëhen me ekspertë dhe ata nuk e shohin problem të heqin pyetjet nga leksionet që janë mbajtur gjatë kësaj periudhe”, tha Shahini.