Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, ishte këtë të premte për inspektim në gjimnazin “Pjetër Budi” në Burrel, i cili aktualisht është në proces të rikonstruksionit. Ajo shoqërohej nga Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj, deputeti i qarkut Dibër Lavdrim Krashi dhe përfaqësues të arsimit.

Ky investim i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit në bashkëpunim me Bashkinë Mat, i cili pritet të përfundojë brenda vitit, synon të përmirësojë kushtet e mësimdhënies dhe infrastrukturën shkollore për afro 300 nxënësit e mësuesit e kësaj shkollë. Ministrja Manastirliu tha se me buxhetin 2024 përfundojmë  investimet në 30 shkolla dhe hapim kantiere të reja në institucionet arsimore nga veriu në jug, ku sapo kemi hapur për bashkitë thirrjen për investimet e reja në shkolla dhe objekte sportive për ciklin e ri 2024-2025.

Pas përfundimit të rikonstruksionit, gjimnazi “Pjetër Budi”, Burrel, do të jetë i pajisur me 20 klasa të reja, sistemin e ngrohjes, mjedise sportive, kabinete shkencore dhe informatike, si dhe një bibliotekë të pasuruar. Këto përmirësime synojnë të ofrojnë një mjedis mësimor më të mirë dhe më të përshtatshëm për të gjithë nxënësit.

Gjimnazi “Pjetër Budi”, Burrel, i cili mbështet një staf pedagogjik prej 26 mësuesish dhe një numër prej 309 nxënësish, është drejt përfundimit, një investim ky i Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë Mat.