Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi zhvilloi një takim me kryetarët e Bashkive të Qarkut Dibër, prefektin Nexhbedin Shehu, Nënprefektin e Matit Hasan Pasha si dhe ekspert të mjedisit. Në takimin e mbajtur në Burrel, Ministri Klosi kërkoi nga krerët e Bashkive largimin e venddepozitimit të mbetjeve urbane larg lumenjëve e përrenjëve. Në fjalën e tij Klosi tha situata është shqetësuese jo vetëm në Qarkun Dibër po në të gjithë territorin. Ai kërkoi nga kryetarët e Bashkive që të angazhohen më shumë në lidhje me ofrimin e shërbimit të pastrimit për banorët, mbledhjen e kësaj takse dhe minimizimin e ndotjes në mjedis, në mënyrë që deri në pranverë të vitit të ardhshëm të jetë i gjithë territori i pastër në shërbim të turizmit.

Vetë kryetarët e bashkive shprehën angazhimin e tyre maksimal për zgjidhjen e këtij problemi duke nisur nga konsolidimi i taksës së pastrimit si dhe shtimin e fondit vjetor për sistemimin e pikave të vendgrumbullimeve aktuale. Nga ana tjetër ata i kërkuan Ministrit të Turizmit dhe Mjedisit rishikim të lejeve të dhëna për ndërtimin e hidrocentraleve pasi shumë prej tyre dëmtojnë turizmin dhe janë dhënë në zona turistike.

Vetë ministri Klosi tha se këto leje do të rishikohen dhe nëse ato janë në dëm të turizmit, do të anullohen. Dritan Kurti