Presidenti Ilir Meta deklaroi se ka dekretuar një datë të re për zgjedhjet vendore, 13 tetorin. Presidenti tha se kishte marrë këtë vendim, pasi datë lidhej edhe me procesin e marrjes së vendimit nga ana e Bashkimit Europian për çeljen e negociatave me Shqipërinë.
“13 tetori u caktua për të garantuar zgjedhje gjithëpërfshirëse. Nuk detyroj askënd të marrë pjesë në mënyrë të pavullnetshme në zgjedhje. Por ju garantoj se në zgjedhjet e 13 tetorit nuk do të ketë asnjë bashki që të mos ketë të paktën një kandidat alternativ”, tha Meta. “Unë nuk jam këtu për të plotësuar tekat e opozitës, por jam këtu për të bërë maksimumin që të shmangim një konflikt jo vetëm politik, por edhe shoqëror”.
Më herët, ishte ish-deputeti Dashamir Shehi, i cili kishte deklaruar se pas këtyre takimeve pritej dekretimi i një date të re për zgjedhjet vendore.
Gjatë gjithë ditës, Presidenti është takuar me krerët e partive opozitare, duke filluar nga ai i PD, Basha, si dhe disa prej ambasadorëve të vendeve të ndryshme të Bashkimit Europian, dhe atë të BE, Luigi Soreca.
Një natë më parë, Meta kishte ftuar edhe Kryeministrin Edi Rama në takim, por ky i fundit refuzoi duke thënë se ishte i zënë pasi duhet të merrej me fushatën zgjedhore. Ndërsa pas takimeve të zhvilluara gjatë ditës, Rama komentoi në Twitter, duke i bërë thirrje njerëzve që t’i japin një mesazh “kumbues” të dielën.