Kancelarja gjermane, Angela Merkel thotë se shanset për hapjen e negociatave të anëtarësimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk janë të mira.

Deklaratën e bëri gjatë seancës në parlamentin gjerman, pak orë para nisjes drejt Brukselit, për samitin e liderëve të unionit, ku do të vendoset përfundimisht për hapjen e negociatave të anëtarësimit për dy vendet.

Merkel tha se do të përpiqej t’i bindte liderët e vendeve anëtare që nuk janë të bindur për përparimin e bërë nga Tirana dhe Shkupi.

Këtë javë, Ministrat e Jashtëm të vendeve anëtare dështuan në arritjen e një marrëveshjeje për hapjen e negociatave, ndërsa vendimi është në dorë të krerëve të shteteve të BE-së.

Tv Klan