Këshilli i Europës raporton si kërcënim për lirinë e medias në Shqipëri, mbylljen e dy programeve kritike ndaj qeverisë. Në faqen zyrtare të Këshillit të Europës për kërcënimet ndaj lirisë së medias mbyllja e programeve “Të Paekspozuarit” dhe “Krasta/A Show” u raportua të enjten si kërcënim i nivelit të dytë. Alarmi u publikua në seksionin “Media Freedom Alerts” i raportuar edhe nga EFJ (Federata Europiane e Gazetarëve) dhe Federata Ndërkombëtare të Gazetarëve, dy organizatat më të fuqishme të mbrojtjes së gazetarëve në botë.
“Pak përpara fillimit të sezonit të ri televiziv, televizioni i parë informativ 24 orë, Neës24, lajmëroi mbylljen e dy emisioneve: “Të Paekspozuarit” të Ylli Rakipit dhe “Krasta/A Show” të Adi Krastës. Të dyja programet ishin kritike ndaj kryeministrit Edi Rama dhe u transmetuan për një vit në Neës24, në pronësi të Focus Media Group.
Gazetarit Adi Krasta u largua nga puna fundjavën e shkuar, pasi presidenti i News24, Irfan Hysenbelliu, u raportua se është “kërcënuar” nga kryeministri dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
Në 19 Korrik, gazetari Artur Çani raportoi se Kryeministri ishte takuar me pronarin e Neës24 për të kërkuar largimin e gazetarit Ylli Rakipi, duke paralajmëruar në atë kohë, se Adi Krasta me gjasë do të humbiste punën gjithashtu. Adi Krastës i është ofruar një tjetër pozicion në këtë televizion.
Gazetari Ylli Rakipi ka akuzuar qeverinë e kryeministrit Edi Rama për mbylljen e emisionit të tij dhe ndërprerjen e kontratës me Focus Media Group. Irfan Hysenbelliu e ka mohuar që mbyllja e këtyre emisioneve të ketë ardhur si pasojë e presionit qeveritar dhe zyra e kryeministrit i quajti këto akuza “fake news”, – shkruhet në platformën e Këshillit të Europës.
Pak ditë më parë Presidenti i kompanisë Irfan Hysenbelliu mohoi në një prononcim për BIRN t’i ishte bërë presion, ndërsa bordi i News 24 lëshoi këtë të enjte një deklaratë ku i cilësoi raportimet për mbylljen e emisioneve si “të pabaza” dhe “të motivuara nga konkurrenca” dhe segmente të politikës.
Vetëm gjatë këtij viti Këshilli i Europës ka shënuar 5 kërcënime serioze për lirinë e medias në Shqipëri, përfshi rrahjen e një gazetari në Dibër nga policia dhe këmbënguljen e qeverisë për të miratuar të ashtuquajturën “paketë antishpifje”. Në vitin 2018 në faqe u regjistrua vetëm një kërcënim dhe në vitin 2017 ishin tre të tilla.
Mbyllja e dy emisioneve pasuan me një furtunë reagimesh në rrjetet sociale dhe shqetësime të reja për gjendjen e lirisë së medias në Shqipëri. Ndërkohë, shqetësime në rritje i janë drejtuar kryeministrit Edi Rama për gjuhën fyese dhe denigruese të përdorur ndaj gazetarëve kritikë – dhe së fundmi për përpjekjet e tij për të miratuar një paketë ligjesh për rregullimin e medias online.
I pyetur mbi pretendimet se qeveria qëndronte pas mbylljes së emisioneve kritike, zyra e shtypit e kryeministrit i konsideroi ato shpifje dhe imagjinatë të gazetarit dhe paralajmëroi padi të reja në gjykatë. burimi.LAPSI