Mbyllet në ditën e dytë protesta e minatorëve të Bulqizës
Ndonëse pasditen e së Mërkurës kompania që administron minierën më të madhe në Bulqizë deklaroi se ka arritur një marrëveshje me sindikatën e minatorëve, këta të fundit nuk e kanë ndalur protestën e tyre. Edhe këtë të enjte ata nuk e nisën punë, duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre. Minatorët deklaruan se nuk do të riktheheshin në thellësi të tokës pa u marrë parasyh kërkesat e parashtruara. Pas protestës së zhvilluar të mërkurën dhe të enjten, kompania “Albchrome” njoftoi zyrtarisht minatorët se me propozimin e Këshillit Sindikal dhe në marrëveshje me Sindikatën e Punonjësve të Industrisë së Rëndë të Shqipërisë (SPIRSH), është dakordësuar ndryshimi i kontratës kolektive lidhur me mënyrën e pagesës së pagës së 13-të. Kjo bëri që minatorët të riktheheshin në punë në turnin e dytë të ditës së sotme që nis në orën 14:00. Gjatë protestës, minatorët ngritën edhe kërkesa të tjera ekonomike. Ata kërkojnë një rritje të pagave me të paktën 20%, duke argumentuar se niveli aktual i pagave nuk përputhet me vështirësinë dhe rrezikshmërinë e punës që kryejnë çdo ditë në nëntokë. Albchrome është kompania më e mëdha në sektorin minerar në Shqipëri, me aktivitet në Bulqizë, Mat, Klos dhe Elbasan. Kompania administrohet nga grupi turk “Yildirim International Mining Investments B.V.”