Bashkia e Klosit, nëpërmjet sektorit të Shërbimit Social përmbylli këtë të shtunë fushatën e 16 ditëve të aktivizmit kundër dhunës me bazë gjinore. Fushata e këtij viti u zhvillua me sloganin “Asnjë justifikim për dhunën”, në shtëpi, vendin e punës, jetën e përditshme etj. Në mbyllje të kësaj fushate, u mbajt një takim me gratë e vajzat e qytetit të Klosit. Koordinatorja për luftën kundër dhunës me bazë gjinore pranë Shërbimit Social në Bashkinë Klos, Lumturie Çeka, tha se të gjitha rastet e raportuara të dhunës trajtohen me përparësi, ndërsa numri i rasteve nuk është i lartë.

  E pranishme në këtë aktivitet, kryetarja e Bashkisë Klos, Valbona Kola ju bëri apel grave dhe vajzave të mos heshtin për çdo lloj dhune, por t’i denoncojnë dhunuesit dhe të kërkojnë ndihmën e Shërbimit Social pranë Bashkisë.

  Mesazhe kundër dhunës me bazë gjinore dhanë edhe të pranishme të tjera në këtë aktivitet si kryetarja e Këshillit Bashkiak Klos, Hazbie Dedolli, Drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Klos, Nexhmije Dedolli, ekspertja per dhunën me bazë gjinore Monika Kocaqi, si  dhe zëvendëskryetarja e Bashkisë Klos, Adelina Laçi.