Reshjet e shirave të rëna në fundjavën e kaluar kanë rritur nivelin e ujit në basenin e liqenit të Ulzës. Siç duket nga pamjet, niveli i ujit në liqen ka arritur thuajse pikën maksimale, por ajo që vihet re është prezenca e madhe e mbeturinave.

Prurjet e mëdha të lumit Mat kanë marrë me vete mbeturina të cilat grumbullohen që nga fshati Fshat i Bashkisë së Klosit, qyteti i Klosit  dhe fshatrave të tjerë që përshkohen nga rrjedha e tij.

Pamja është vërtetë e pakëndshme sidomos për vizitorët që frekuentojnë Ulzën si një nga destinacionet më të preferuara të tyre për Qarkun e Dibrës.

Jashtë kameras, banorët shprehen se qëndrimi i gjatë i mbeturinave në sipërfaqen e ujit dëmton turizmin, pasi çdo vizitor përballet me këtë pamje nëse shkon aty në ditët kur ka patur reshje të mëdha shiu.

Ndërkohë, edhe pse kompania që administron HEC-in Ulzës do të bënte pastrimin e hapsirës pranë portave, një gjë të tillë nuk ka ndodhur ende. Sipas ekspertëve, largimi i mbeturinave është i pamundur nëse nuk arrihet niveli maksimal dhe mbeturinat të kalojnë mbi portën e shkarkimit, por edhe në këtë rast nuk do të ishte zgjidhje pasi ato do të përfundonin në liqenin e Shkopetit për të krijuar një tjetër peizazh të shëmtuar.