Vetëm pas kronikave në “Mat Televizion”, firma mirëmbajtës e rrugës Ura e Matit – Rrëshen kujtohet se duhet të bëjë punën e saj dhe të mirëmbajë vazhdimisht çdo ditë gjendjen optimale të këtij aksi rrugor.

Por edhe pse të martën ka nisur të mbushë gropat që nga Ura e Matit në drejtim të Rrëshenit, Firma ka “harruar” të ndërhyjë në këmbën e urës në Sukbull e cila rrezikon të vazhdojë shembjen për shkak të hapsirës boshe të krijuar si rezultat i pranisë së ujit në ditët me reshje shiu. Siç duket nga pamjet, vetëm 2 metra larg urës janë mbushur gropa me zhavor, ndërsa ajo tek këmba e urës qëndron e njëjtë.

Një tjetër problem në këtë aks rrugor me mirëmbajtjen e tij është edhe fakti se kudo përdoret zhavor për të mushur gropat, si në segmentet ku nuk ka asfalt e si në ato ku ka asfalt. Në rastin e këtyre të fundit, kjo nuk është aspak efikase pasi jo vetëm që nuk ka qëndrueshmëri, por përbën edhe rrezik për drejtuesit e mjeteve.

Pas rrugës Burrel – Skuraj, aksi Ura e Matit – Rrëshen është arteria më e rëndësishme për të gjithë qarkun Dibër që duan të qarkullojnë drejt veriut të vendit.