Këshilli i Qarkut Dibër zhvilloi të martën në Mat mbledhjen e fundit të këtij viti. Këshilltarët e këtij organi që përbëhet nga anëtarë nga të katërt bashkitë, Dibër, Bulqizë, Mat e Klos zhvilluan një mbledhje me rend dite tepër të ngjeshur.
Një ndër pikat që mori debat ishte edhe ajo e projekt-buxhetit për vitin 2020. Në këtë pikë, këshilltarët që përfaqësojnë Bashkinë Mat, kërkuan që ndarja të bëhet në bazë të bashkive jo të adresuara vetëm për bashkinë Dibër.
Këshilli shty financimin e dy aktiviteve të parashikuara në buxhet për të marrë parasysh kërkesat e këshilltarëve të bashkive të tjera. Ndërkohë një tjetër pikë e cila ka nxitur një reagim ishte ajo për dhënie titulli “Nderi i Qarkut Dibër”, ish Ministrin e Brendshëm në regjimin e kaluar Haxhi Lleshi. Ky titull i propozuar nga këshilltarë të Dibrës mori shumicën e votave të anëtarëve. Pas kësaj kanë ardhur një sërë reagimesh. Ish Deputetja Dhurata Çupi në emër të Partisë Demokratike i ka kërkuar kryeministrit Edi Rama, anullimin e menjëhershëm të këtij titulli, i cili sipas saj i është dhënë një njeriu i cili ka kryer krime ndaj të pafajshmëve në emër të partisë.
Edhe kryetari i sapozgjedhur i Institutit për Studimin e Krimeve të Komunizmit në Shqipëri Çelo Hoxha ka reaguar në lidhje me dhënien e titullit “Nderi i Qarkut Dibër” ish-kreut e presidiumit të Kuvendit Popullor Haxhi Lleshin. Sipas Hoxhës Haxhi Lleshi është firmëtar i të gjitha vrasjeve politike të ndodhura nga viti 1953 e derisa drejtoi Presidencën e Kuvendit Popullor.
Ndërkohë në mbledhjen e së martës, këshilli i Qarkut Dibër ka zgjedhur edhe sekretarin e ri të këshillit për katër vitet e ardhshme.