Përballë nevojës për një koordinim më të mirë mes aktorëve shtetërorë, jo shtetërorë dhe shoqërisë civile, është krijuar rreth 1 vit më parë Këshilli Vendor i Sigurisë Publike në Bashkitë Mat e Klos. Ky këshill u mblodh këtë të premte në Burrel ku pjesë e tij ishin edhe specialist të policimit në Komunitet në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Drejtues të Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, shërbimet sociale, arsimi, shërbimet shëndetësore, shërbimin pyjor dhe mjedisin, prefekturën, shoqërinë civile, bashkësitë fetare, komunitetin e biznesit, mediat lokale, grupet vullnetare, dhe organizata të tjera vendore. Drejtori i Qendrës së Koordinimit Kundër Ekstremizmit të Dhunshëm, Agron Sojati tha se funksionimi i këtij këshilli do të parandalonte rastet e ekstremizmit të dhunshëm në komunitetet ku jetojmë.

Ndërkohë kryetarët e Bashkive Mat e Klos, Agron Malaj e Ilmi Hoxha thanë se do t’i japin prioritet këtij Këshilli duke e shtrirë atë me takime në çdo cep të territorit administrative që drejtojnë.

Projekti për Krijimin e Këshillave Vendorë të Sigurisë Pulbike në të gjitha bashkitë e vendit është bërë me ndihmën e Prezencës së OSBE-së në Shqipëri.