Këshilli i Bashkisë së Matit zhvilloi këtë të Martë mbledhjen e fundit për këtë vit kalendarik. Mbledhja kishte një numërt të lartë pikash në rendin e ditës. Fillimisht nga rendi i ditës me 16 pika, u hoqën zëvendësimi i vakancës në Këshill dhe pika e 12 për heqjen nga fondi pyjor e kollusor publik për shfrytëzimin e mermerit dekorativ në objektin Qaf Shtamë.
Këshilltarët miratuan në unanimitet fondin 6% të ndihmës ekonomike për muajin nëntor. Më pas këshilli u njoh me paketën fiskale të vitit 2020. Ndryshimet e paketës fiskale nga vitit 2019 u bënë të ditura nga Drejtorisë i Zyrës Ekonomike Dorjan Rruci dhe Kryetari i Komisionit të Ekonomisë në Këshillin e Bashkisë Mat, Halit Palamani.
Pasi kërkuan informacione më të hollësishme, këshilli e miratoi këtë pikë me të gjitha votat e pranishme. Po ashtu, Këshilli miratoi edhe numrin e përgjithshëm të punonjësve të Bashkisë Mat, i cili nga 423 do të jetë 426 me tre shtesa, dy sanitare dhe një shofer administrate. Këshilltarët u njohën edhe me nivelin e pagave të cilat nuk kishin ndryshim nga të vitit aktual. Të dy këto pika morën miratimin e këshillit bashkiak.
Më pas u kalua në pikën për miratimin e projekt-buxhetit të vitit 2020. Drejtori i Zyrës Ekonomike, Dorjan Rruci bëri një panoramë të shkurtër të këtij buxheti duke sqaruar gradin e pakushtëzuar dhe të ardhurat. Më pas ishte Kryetari i Komisionit të Ekonomisë në Këshillin e Bashkisë Mat, Halit Palamani i cili lexoi relacionin përkatës.
Këshilltarët kërkuan më shumë informacion në lidhje me projekt-buxhetin. Planet e investimeve, ndarjen e tyre në të gjitha njësitë etj.
Edhe kjo pikë pasi shteruan të gjitha diskutimet e këshilltarëve që morën fjalën, u miratua me 15 vota pro e 2 kundër. Një tjetër pikë që mori kohë dhe debat ishte ajo mbi miratimin e projekt-vendimit për shitjen e trojeve të banesave private dhe sipërfaqe në funksion të ndërtimit si dhe trojeve të njësive që janë pronë e bashkisë. Në lidhje me këtë pikë, relatoi Shefi i Sektorit të Mbrojtjes Civile dhe Pronave në Bashkinë Mat, Agim Selita.
Ndërkohë këshillatërt që morën fjalën kërkuan ndryshime në projekt-vendim që të pasqyrohen në vendim para se ai të shkojë për konfirmim tek Prefekti i Qarkut Dibër.
Edhe kjo pikë e rendit të ditës u kalua me 15 vota pro dhe dy kundër. Në fund këshilli miratoi ndarjen e bursave për arsimin parauniversitar për vitin shkollor 2019 – 2020.