Këshilli i Bashkisë së Matit u mblodh këtë të mërkurën në mbledhjen e tij të radhës. Mbledhja nisi me shtimin e një pike në rendin e ditës për dhënie ndihme financiare Bashkisë së Durrësit për përballimin e dëmeve të shkaktuara nga tërmeti, ndihmë e cila është dhënë edhe nga bashki të tjera që nuk janë dëmtuar nga tërmeti i së shtunës së kaluar.

Këshilli shqyrtoi më pas të gjitha pikat në rendin e ditës. Projekt-vendimi për personat me aftësi të kufizuara për muajin shtator dhe fondi 6% i ndihmës ekonomike për muajin Gusht, pas relatimit të përgjegjësve të zyrës përkatëse morën miratimin e të gjithë anëtarëve.

Pika e tretë e rendit të ditës mbi ndryshime në buxhet dhe shtesën në buxhetin e vitit 2019 pas diskutimeve u miratuan nga këshilltarët e pranishëm. Në pikën pasardhëse këshilli u njoh me raportin e monitorimit të buxhetit të Bashkisë Mat për 8 mujorin e vitit 2019. Përfaqësuesit e financës iu përgjigjën pyetjeve të këshilltarëve. Pika e 7 në rendin e ditës për miratimin e Projekt-Vendimit për dhënie me kontratë hua-përdorje një sipërfaqe trualli shoqërisë “Albchrome Holding” sh.p.k, mori debate. Specialisti i emergjencave civile dhe pronave Agim Selita shpjegoi relacionin e projekt-vendimit.

Këshilltarët e pranishëm drejtuan pyetje ndaj administratës në lidhje me këtë projekt. Ata kërkuan informacion shtesë për këtë kontratë që pritet të lidhet mes Bashkisë Mat dhe Kompanisë në fjalë. Për një sqarim ndërhyri edhe vetë Kryetari i Bashkisë Mat, Agron Malaj.

Pas shumë diskutimeve dhe debateve, Këshilli miratoi me 14 vota pro dhe 2 kundër projekt-vendimin për dhënie me huapërdorje të truallit në Komsi.