Këshilli i Bashkisë së Matit ka zhvilluar këtë të Mërkurë mbledhjen e parë të zakonshme për vitin 2020. Këshilltarët diskutuan dhe miratuan 13 pika në rendin e ditës. Mbledhja nisi me plotësimin e vakancës në këshillë. Mandatin e Këshilltares së Partisë Socialiste, Linela Markja e mori kandidatja në radhë, Ada Skura e cila bëri edhe betimin në këtë mbledhje. Më pas këshilli miratoi me të gjitha votat e anëtarëve të pranishëm fondin 6% të ndihmës ekonomike të muajit Dhjetor, pas relatimit të drejtuesve të shërbimit social në bashki. Në pikën e tretë këshilltarët miratuan planin lokal të veprimit të mbrojtjes civile të viteve 2019 – 2020.
Ndërkohë në pikën e katërt, këshilltarët u njohën me një ndryshim në Vendimin e Këshillit Bashkiak numër 55 datë 24.12.2014. Ky projekt-vendim parashikonte ndryshim në numrin e përgjithshëm të punonjësve të bashkisë Mat, me shtimin e punonjësve sipas nevojës së paraqitur, ku ndër ta ishin edhe punonjës të policisë bashkiake që do të shërbejnë edhe në njësitë administrative.
Në pikëne pestë të rendit të ditës, Këshilli u njoh me një shtesë në buxhetin e vitit 2020 që sipas drejtuesve të Zyrës Ekonomike, ka të bëjë me tepricat e trashëguara nga viti 2019. Në pikën e gjashtë, këshilltarët votuan ndryshimet e buxhetit 2020, në shtimin e fondve për blerjen e bazës materiale për rrugët si dhe mjete që do t’i shtohen flotës së mirëmbajtjes së 410 kilometrave rrugë rurale që ka Bashkia e Matit. Në pikën e 7 dhe 8 këshilli u njoh mraportin e monitorimit të Bashkisë Mat për vitin 2019 dhe planin e performancës afatmesme 2020 – 2022.
Këshilltarët kaluan edhe projekt-vendimin për marrjen e aktit të tokës në pronësi , dhënie ndihme financiare, dhënie burse për nxënësite arsimit parauniversitar etj. në pikën e të ndryshmeve, Këshilli i kërkoi informacion administratës së Bashkisë Mat, në lidhje me problemin e dalë nga vendosja e tregut të ri të frutaperimeve në lagjen e re. Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve në Bashkinë Mat, Elson Reçi tha se tregtarët ambulant do të duhet të zhvendosen tek tregu i ri, ku dhe në vazhdim do tju plotësohen kushtet e kërkuara prej tyre.